Qeveria italiane po përdor të gjitha mjetet ligjore dhe joligjore për të detyruar qytetarët që të respektojnë distancën fizike në përpjekje për të parandaluar koronavirusin.
Sipas mediave italiane, këtyre masave nuk u shpëtoi as dita e Pashkëve, të cilat raportojnë se ka patur një shkëputje të njëkohshmë të shërbimeve telefonike të ofruara nga kompanitë celulare në Itali.
Kompanitë celulare janë justifikuar tek klientët e tyre se bëhej fjalë për defekt teknik, por mediat vendase ngrenë dyshimet se shkëputja e ofrimit të shërbimeve është bërë me një urdhër verbal të autoriteteve vendase.
Për disa orë, një pjesë e mirë e qytetarëve italianë, kryesisht në zonat më të goditura nga koronavirusi, nuk arritën dot që t’i uronin njëri-tjetrit Pashkët, as përmes valëve telefonike dhe as përmes internetit.
Mediat kanë hamendësuar se vendimi i kompanive celulare është nxitur nga autoritetet dhe këshilluar nga grupet e ekspertëve në luftën kundër koronavirusit për të shmangur çdo mundësi që qytetarët të takohen me njëri-tjetrin me rastin e festës.
Ndërprerja e shërbimeve në Bergamo, kryeqendra e koronavirusit në Itali është raportuar para të dielës dhe ka zgjatur deri në darkë.
Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në zonat e tjera, që njihen si “zona të kuqe Covid-19”.
Mësohet se ndërprerjen e shërbimeve e kanë kryer edhe tre kompanitë më të mëdha, si TIM, Vodafone dhe Wind.



