
Kryeministri Edi Rama reagon sërish për situatën e zjarreve në vend dhe debatin e lindur mbi arsyet se pse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës.
Me anë të një mesazhi në rrjetin social X, Rama thotë se këto ditë ka mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga vendet partnere.
Ai fton që të bëhen disa llogari dhe heq paralele me Greqinë, Italinë, Turqinë apo Spanjën që po përballen një situatë të ngjashme, edhe pse nuk kanë mungesë avionësh.
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por...
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.
Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë pa diskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.



