Një 86-vjeçar nga Shkodra fatkeqësisht është bërë personi i tretë që ka humbur jetën për shkak të koronavirusit brenda ditës në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 86-vjeçari ishte në spitalin infektiv dhe po trajtohej në terapi intensive prej 12 ditësh, por nuk ia arriti të fitonte dot betejën me COVID-19, duke e çuar në total në 66 numrin e personave që ndërrojnë jetë për shkak të pandemisë.
"Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i kujton edhe një herë qytetarëve të tregojnë kujdes me respektimin e rregullave, distancimin fizik, përdorimin e maskës, higjienën vetjake, pēr të kufizuar përhapjen e COVID19. Nga fillimi i epidemisë, 66 qytetarë të konfirmuar me COVID19 e kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm,"- njofton Ministria e Shëndetësisë.
Më herët gjatë ditës autoritetet njoftuan se një 75-vjeçare nga Shkodra dhe një 82-vjeçar nga Tirana ndërruan jetë për shkak të koronavirusit. Ndërkohë numri i të prekurve në 24 orët e fundit ishte 45.



