Mos koordinimi i institucioneve, mungesa e pastrimit të kanaleve kulluese si dhe investimet e gabuara janë ndër shkaqet që përmbytën Vlorën në vitin 2024.
Njëzet gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për përmbytjet masive të ndodhur në vitin 2024 në Vlorë, mund të jenë të njëjta më tepër apo edhe më pak për situatën e javës së dytë të Janarit 2026.
Ku u prekën Durrësi, Qarku Shkodër, Lezhë, Fier, Maliq e Deri në Gjirokastrën e mbi 300 më mbi nivelin e detit.
Emisioni “FactCheck” në MCN TV ka zbardhur 20 faktet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për Vlorën 2024:
- Për përmbytjet e datës 04.10.2024 në Qytetin e Vlorës nuk u shpall gjendja e emergjencës civile nga Këshilli i Qarkut. Ky veprim bie ndesh me kuadrin ligjor në fuqi.
- Kryetari i Bashkisë Vlorë nuk ka paraqitur kërkesë për vlerësimin e dëmeve në objektet e banimit. Procesi i vlerësimit po kryhet vetëm për orenditë shtëpiake.
- Nuk është akorduar asnjë fond nga Këshilli i Ministrave për dëmshpërblimin e pasojave të përmbytjeve. Kjo lidhet me mungesën e kërkesës zyrtare dhe procedurave përkatëse.
- Procesi i transferimit të objekteve nga Bordi i Kullimit Fier te Bashkia Vlorë nuk është kryer në mënyrë të rregullt. Mungon dokumentacioni teknik shoqërues për infrastrukturën e kullimit.
- Nuk disponohen të dhëna teknike për kanalet, planvendosjen dhe profilet e tyre në dokumentacionin e transferimit. Kjo vështirëson menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.
- Sektori i Bordit të Ujitjes dhe Kullimit pranë NSHP Vlorë nuk ka informacione të plota teknike për kanalet në administrim. Mungojnë harta të azhornuara dhe të dhëna për argjinaturat.
- Planet e punës për vitet 2023–2024 nuk janë zbatuar plotësisht për pastrimin e kanaleve. Kanalet KKP Bunavi, KKP Armen dhe KKP Selenicë kanë mbetur të papastruara.
- Disa kanale kulluese nuk janë pastruar prej më shumë se 30 vitesh. Ato janë të bllokuara nga aluvione dhe mbeturina të ndryshme.
- Shumica e pusetave të KUB janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së pastrimit dhe dimensioneve të papërshtatshme. Kjo ul ndjeshëm kapacitetin e shkarkimit gjatë reshjeve.
- Gjatë përmbytjeve është konstatuar prani e madhe inertesh në rrjetin e kanalizimeve. Kjo gjendje lidhet edhe me punimet e ujësjellësit të ri në qytet.
- Hidrovori Akërni nuk punon me kapacitet të plotë për shkak të tensionit të ulët elektrik gjatë orarit ditor. Furnizimi i përbashkët me subjekte private ndikon negativisht në funksionimin e tij.
- Më datë 04.10.2024 Hidrovori Akërni ka funksionuar vetëm me rreth 45% të kapacitetit. Kjo ka ndikuar në mosshkarkimin normal të ujërave.
- SHRUKV SHA nuk ka hartuar plane investimi për përmirësimin e sistemit kullues. Për periudhën 2023–2024 nuk janë kryer investime.
- Nga UKV SHA dhe SHRUKV SHA nuk është planifikuar apo realizuar asnjë investim në sistemin e kullimit vitet e fundit. Kjo ka përkeqësuar gjendjen e infrastrukturës ekzistuese.
- Në territorin e Bashkisë Vlorë nuk funksionojnë të ndara sistemi i ujërave të ndotura dhe ai i ujërave të bardha. Kjo sjell përzierje të ujërave gjatë reshjeve intensive.
- Për të shmangur përmbytjet, punonjësit e UK hapin pusetat për futjen e ujërave sipërfaqësore. Ky veprim rrit ndjeshëm volumin që duhet të përballohet nga stacionet e pompimit.
- Bashkëpunimi ndërinstitucional për menaxhimin e skemës së kullimit nuk është efektiv. Kompetencat janë të fragmentuara mes bashkisë dhe Bordit të Kullimit.
- Kanalet e para janë në vartësi të Bordit të Kullimit, ndërsa kanalet e dyta dhe të treta në përgjegjësi të bashkisë. Kjo ndarje krijon vështirësi në koordinim dhe ndërhyrje.
- Gjatë reshjeve të dendura u krijua rrëshqitje skarpati në km 15+000 të Bypass-it të Vlorës. Si pasojë u bllokua përkohësisht qarkullimi i mjeteve.
- Projekti i rreth-rrotullimit në km 0+000 të Bypass-it është ndryshuar nga projekti fillestar. Tombinoja e ndërtuar shkarkon në një kanal të pa pastruar, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.



