Rrëshqitjet e dherave dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht aksin kombëtar rrugor Qukës-Qafë Plloçë.
Problematikat me rrëshqitjen nisën gjatë ditës së sotme ku fillimisht në dalje të tunelit u dëmtua një mjet të cilin e zunë një pjesë e inerteve dhe më pas në një prej segmenteve të këtij aksi u bllokua një korsi e lëvizjes megjithëse qarkullimi mbeti i hapur.
Mbrëmjen e sotme një rrëshqitje e re u evidentua në këtë aks rrugor duke bllokuar të dy krahët e lëvizjes. Aktualisht aksi është i pakalueshëm për automjetet për shkak të ndalesës së vendosur nga kompania.
Sipas informacioneve kompania po përgatit një rrugë alternative ndërsa qarkullimi është plotësisht i bllokuar. Gjatë gjithë ditës së sotme në të gjithë aksin i cili u inaugurua në muajin shtator të vitit të shkuar ka pasur rrëshqitje të cilat kanë sjell problematika në qarkullim.



