Për të tretën javë radhazi mijëra qytetarë bullgarë kanë protestuar paqësisht kundër kryeministrit Bojko Borisov dhe kryeprokurorit të vendit pasi nuk po veprojnë për frenimin e korrupsionit në vend.
Mësohet se disa rrugë kryesore të kryeqytetit u bllokuan të mërkurën, teksa protestuesit i fryenin bilbilave dhe godisnin disa objekte metalike me qëllimin për të tërhequr vëmendjen.
Protestuesit mbanin në duar parulla që shkruanin “dorëheqje” apo “Borisov, je turpi i vendit”, pjesëmarrësit e shpërfillën urdhrin e autoriteteve kundër tubimeve në këtë periudhë pandemie.
Ata mendojnë se Qeveria është përgjegjëse për bllokimin e reformës në drejtësi, për luftën ndaj korrupsionit, për shkeljen e lirisë së shprehjes dhe për lidhjet me grupet kriminale.
Bëhet me dije se protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga zonat periferike të Bullgarisë, të cilëve iu kërkua nga organizatorët e protestës që të marrin me vete çadra, jorganë, ujë dhe ushqime në rast se protesta do të zgjaste.
Kujtojmë se protestat filluan tre javë më parë, atëherë kur kryeprokurori i vendit urdhëroi bastisjen e selisë presidenciale, pasi kreu i shtetit Rumen Radev mban qëndrime kritike ndaj qeverisë.
Ato vazhduan edhe pasi kryeministri Borisov ndërroi katër ministrat e vet për të zbutur disi tensionet, por zbulimi i politikave në interes të oligarkëve acaroi sërish opinionin publik.
Presidenti Radev i ka mbështetur thirrjet e protestuesve për largimin e 61-vjeçarit, Borisov.



