Aktori amerikan Tom Hanks ka shkruar një letër dhe i ka dërguar një makinë shkrimi të markës “Corona” si dhuratë një djali australian, i cili i kishte shkruar aktorit ditë më parë se po ngacmohet nga shokët e shkollës për shkak të emrit të tij: Corona.
Corona De Vries, 8-vjeç, i shkruajti një letër Hanks dhe bashkëshortes së tij Rita Wilson, pasi u prekën nga virusi Covid-19 në Queensland.
“Kam dëgjuar në lajme që ju dhe bashkëshortja juaj jeni prekur nga koronavirusi. A jeni mirë?”, shkruante 8-vjeçari.
Më tej, në letrën dërguar aktorëve, ai theksonte se e donte shumë emrin e tij, por tashmë shokët e shkollës po e thërrisnin “koronavirus”.
“Unë jam shumë i trishtuar dhe i zemëruar kur shokët më quajnë kështu”, shkruante ai.
Pasi kishte lexuar mesazhin, Hanks iu përgjigj po përmes një letre, të cilën e kishte filluar me fjalët: I dashuri miku im, Corona…
“Letra juaj më bëri mua dhe bashkëshorten time të ndihemi kaq të lumtur! Të falenderoj që je një mik kaq i mirë, sepse shokët i bëjnë shokët të ndjehen mirë kur ata janë me këmbë në tokë”.
Hanks dhe Wilson janë rikthyer në SHBA pasi kaluan rreth tre javë në Bregun e Artë, duke u shëruar nga virusi Covid-19 në muajin mars.
Aktori, fitues i çmimit Oskar, i tha djalit: Ju jeni i vetmi person që kam njohur ndonjëherë me emrin Corona, si unaza rreth diellit, një kurorë.
Ai i dërgoi një makinë shkrimi të markës Corona, të cilën e kishte perdorur gjatë karantinës së tij në qytet.
“Mendova se kjo makinë shkrimi do t’iu përshtatet. Unë e kisha marrë me vete në Bregun e Artë dhe tani është përsëri atje, tek ju. Pyesni një të rritur se si funksionon dhe përdoreni atë për të më shkruar përsëri”, i shkruajti Hanks.
Familja De Vries, i tha medias australiane “Nine News”, e cila e kishte ndihmuar Coronën t’i dërgonte letrën e tij aktorit Tom Hanks, se djali ishte shumë i lumtur për komunikimin me të.
“Corona dëshironte të komunikonte me Hanks për shkak të rolit të tij si Woody në filmat Toy Story”, tha familja e tij.
Aktori i kishte shkruar me dorë në fund të letrës: PS! Ju gjeni një mik tek unë.
Muajin e kaluar, çifti hollivudian, udhëtuan për në Australi, ku Wilson mbajti disa koncerte dhe Hanks filloi të xhironte skenat për filmin biografik të Elvis Presleyt me regji të Baz Luhrmann.
Mendohet se çifti mund të jetë prekur nga koronavirusi në SHBA ose gjatë udhëtimit për në Australi.



