Qytetarët durrsakë protestuan pasditen e sotme kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Ata u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa kërkuan ndërhyrjen e qeverisë për t’i dhënë fund spekulimeve, siç thonë ata, ngritjes së vazhdueshme të çmimeve nga ana e tregtarëve të produkteve ushqimore dhe bukës.
Dy javët e fundit çmimet e bukës dhe produkteve të shportës ushqimore janë rritur nga 20-50 për qind.
“E gjithë bota po merr masa, ku është qeveria jonë? Duhet të marrin masa. Shoqëria është në depresion për këtë që po ndodh. Nuk dinë çfarë t’i thonë familjes në darkë”, është shprehur një nga protestuesit.
Ndërkohë, të shtunën është lajmëruar protesta kombëtare përpara godinës së kryeministrisë. Në orën 11:00 do të nisë marshimi nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga qytete të ndryshme. Në rast të mosplotësimit të kërkesave, organizatorët paralajmëruan përshkallëzim të protestave.



