Politikania Arbela Statovci rrëfen betejën e saj me kancerin për të dytën herë, ku pasi mposhti atë në gji po përballet sërish me kancerin e mëlçisë, katër vite pas shërbimit të parë.
Duke folur për emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo rrëfeu se ishte gushti i vitit 2021 kur pikasi një nyjë në majë të gjirit, duke hequr reçipetat.
Më tej ajo tregon se si nga një skaner pas katër vitesh zbuloi kancerin në mëlçi, ndërsa këshillon që të mos përfshihesh nga paniku për të mos humbur veten dhe shpresën.
Ishte ora 12.00 e natës dhe në një moment u panikosa, pasi thashë një nyje në gji asnjëherë nuk është mirë. Por e ndalova veten dhe thashë pa panik dhe të pres deri nesër.
Vendosa të mos hyj në Google dhe askund, për të mos panikosur veten. Pas tre katër javësh fillova kimioterapinë. Rëndësi ka të qëndrosh pozitive, pasi përndryshe e humb veten.
Unë kam pasur pranë familjen, shoqërinë. Kam punuar gjatë gjithë kimioterapisë, por kimioterapitë kanë qenë të tmerrshme, se e kanë kthyer trupin në zero. Gjithë qelizat pozitive u zhdukën bashkë me qelizat negative.
Ka pasur momente që 14 orë kam ndenjur shtrirë apo që pesë ditë kam qenë në spital. Në atë moment duhet të qëndrosh e fortë.
Në çdo vizitë kam qenë e shoqëruar nga mami. Gjithçka ka ardhur papritur, por testimi zbuloi se nuk ishte e trashëgueshme.
Isha 33 vjeç kur më erdhi diagnoza e parë e kancerit të gjirit. Nëna ime u copëtua kur mësoi diagnozën, aty u theva kur e pashë. Por vendosa të bëhesha e fortë dhe për familjen.
Tani kam dy javë që kam bërë ndërhyrjen për heqjen e kancerit në mëlçi. Kancerin e gjirit e kam kapur në stadin e tretë dhe katërt dhe mundësia e rikthimit ishte mbi 80%. Dhe brenda pesë viteve nëse nuk kthehet, mund të mos kthehet fare.
Ishte goxha shok, kur para një muaji bëra skanerin e gjithë trupit dhe zbulova. Çdo gjashtë muaji bëja kontrollin e gjirit.
Kisha një shenjë në qafë që kisha bindjen se më është rikthyer kanceri, por kisha bindjen se ishte në lëkurë. Ishte një shenjë e kuqe që ende duket, por në verë u rrit i madh, nxirrte gjak dhe e ndjeja që trupi po më thoshte diçka.
Analizat dilnin mirë, deri kur shkova te onkologia dhe i thashë se e di trupin tim dhe diçka duhet të bëjë. Bëmë skanerin, biopsinë në mëlçi dhe brenda tre javësh u zbulua se tumori ishte në mëlçi.
Brenda një viti u rrit metastaza shumë shpejt. Vetë fakti që është metastazë, duhet të vazhdoj me medikamente të përjetshme, kimioterapi në formë medikamentesh të përjetshme.
Operacioni ka shkuar me sukses, por menopauza e nisur në mënyrë artificiale në moshën 37-vjeçare është një shok më vete.



