Zëdhënësi i Kishës Katolike, Dom Mark Pashkja, në 10 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, thotë se vizita e një Pape hyn në ato ngjarje që kujtohen gjatë në analet historike, për vetë faktin se figura e Papës, hyn në ato figura historike.
“Papa zgjodhi vendin tonë jo vetëm për një vizitë, por hapi turin e vizitave të tij në Europë në Shqipëri.
Duke folur për “MCN Informacion”, lidhur me konferencën “Med24” që po mbahet në Shqipëri, Dom Mark Pashkja tha se Shqipëria pret takimet e Mesdheut 2024, të cilat vjet kishin siparin e tyre në takimin e Marsejës.
Janë rreth 50 të rinj që vijnë nga 25 vende të ndryshme, që u përkasin besimeve të ndryshme, që kanë zgjedhur Tiranën për takimin e tyre vjetor.
Vendet e Mesdheut janë në këtë takim për të frymëzuar atë kulturë të nxitur nga Papa Françesku.
Dje Papa përshëndeti pjesëmarrësit në takimin e Tiranës, ku pjesa e parë i kushtohej 10-vjetorit të vizitës në Shqipëri dhe më tej pjesëmarrësve në konferencë.
Një nga mesazhet që nxit Papa Françesku është një dashuri pa kushte, në një klimë të shoqëruar nga luftëra të ndryshme.
Nxitja e një kulture paqeje në një klimë të ndryshme kulturore, është një prej mesazheve që Papa Françesku i ka besuar këtij takimi që po zhvillohet në Tiranë.



