Gjykatat në të gjithë Republikën e Shqipërisë kanë pezulluar veprimtarinë dhe shërbimet gjyqësore, deri në datën 22 prill, me përjashtim të çështjeve urgjente, kjo si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19 në vendin tonë.
Por, gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale do të zbatojnë ligjin duke garantuar mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi si prioritare, kur përcaktojnë cilat çështje do të kategorizohen si “të ngutshme” apo “urgjente”.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedenta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara. Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19”, citohet nga njoftimi.
KLGJ, i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike.
Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:
Faqet zyrtare të Gjykatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)
Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )
Dhoma Kombëtare e Avokatisë (http://www.dhka.org.al)



