Borchardt: Ekstremizmi i dhunshëm nuk justifikohet

Borchardt: Ekstremizmi i dhunshëm nuk justifikohet

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi në konferencën “Bashkë kundër ekstremizmit të dhunshëm”, organizuar sot në Elbasan nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Myftininë e Elbasanit se, “Ekstremizmi i dhunshëm nuk justifikohet dhe as nuk duhet parë si i lidhur me asnjë lloj race, etnie, kombësie, apo besimi fetar. Ai nxit përçarjen, marxhinalizimin, paragjykimet, diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tjera të njeriut. OSBE-ja qëndron e bashkuar si një e tërë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe të gjitha formave dhe manifestimeve të tij, duke mbrojtur në të njëjtën kohë të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës”.

“Shqipëria dhe, në fakt, Elbasani kanë një traditë të tolerancës fetare për të cilën janë krenarë. Ky është një tipar dallues i Shqipërisë, me të cilin ky vend krenohet. Pavarësisht kësaj, kemi parë se ndikimet radikale dogmatike kanë mbërritur edhe në Shqipëri, duke ndikuar te njerëzit kundër traditave të tyre. Unë e kuptoj se të rinjtë ndonjëherë kanë nevojë për një lloj ushqimi shpirtëror, për një besim fetar apo për orientime të tjera. Por ata nuk duhet të përfundojnë në internet në faqet që ofrojnë radikalët apo që ndjellin të ashtuquajturit profetë të rinj radikalë të besimeve të vjetra””, tha Borchardt.

Kjo, theksoi ai, “është fusha e parë e ndërhyrjes që mund të identifikohet dhe ku familjet, gratë dhe udhëheqësit fetarë, kulturorë dhe edukativë mund të luajnë një rol kyç parandalues duke nxitur respektin dhe mirëkuptimin reciprok, pajtimin dhe bashkëjetesën në harmoni të kulturave të ndryshme. Ata duhet të informohen dhe të trajnohen që të jenë në gjendje të dallojnë shenjat e para të radikalizimit të rrezikshëm të djemve, vajzave, anëtarëve të komuniteteve të tyre e kështu me radhë. Ne të gjithë mund të mësojmë nga mësimet e nxjerra në shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, pa qenë nevoja “të shpikim rrotën nga e para”.
“Po aq i rëndësishëm është edhe roli i bashkisë, pasi ajo jo vetëm që ofron mundësi për dialog, kohezion social, mirëqenie të qytetarëve, por edhe një platformë që parashikon përfshirjen e të gjithë komunitetit. Bashkia mund të jetë edhe vetë një aktore, por duhet në të njëjtën kohë edhe t’ua bëjë më të lehtë punën atyre që merren me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”’, shtoi ambasadori Borchardt.

Sipas tij, “Grupet e rrezikuara, sidomos të rinjtë, duhet të ekspozohen ndaj bashkëmoshatarëve të tyre ndryshe, atyre u duhen mundësi për të parë reflektimet e të tjerëve dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Gjithashtu, ata mund të kenë nevojë edhe për një orientim të ndryshëm fetar apo shpirtëror”.

“Prezenca e OSBE-së vlerëson punën e Zyrës së Kryetarit të Bashkisë dhe punon prej kohësh ngushtë me bashkinë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të njeriut dhe dhunës në familje. Kemi bashkëpunuar, gjithashtu, edhe me Policinë e Shtetit në Elbasan. E prapëseprapë, duhet të jemi të bashkuar për të ndihmuar në adresimin e këtyre sfidave në komunitet. Për të luftuar çdo lloj kriminaliteti, dhune apo sjellje ekstremiste, duhet që shoqëria dhe komuniteti të thonë: “Jo”. Prandaj, e vetmja zgjidhje për sukses është ajo që sheh mundësinë e një qasjeje shumëpalëshe të angazhimit të komunitetit lidhur me nismat për ndryshim. Qasja e OSBE-së është, sigurisht, gjithëpërfshirëse dhe një qasje që ne e ndajmë me gëzim me partnerët tanë në zbatimin e nismave të përbashkëta në Elbasan sot dhe në të ardhmen. Ne duhet të ngrihemi që të gjithë kundër thirrjes shkatërruese të ekstremizmit të dhunshëm, duke promovuar tolerancën, respektin reciprok, pluralizmin, gjithëpërfshirjen dhe kohezionin”, përfundoi Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy