
Turizmi në Shqipëri pritet të rritet me rreth 5-15% gjatë vitit 2026, por sektori vijon të përballet me probleme të vjetra që krijojnë pasiguri për ecurinë e sezonit.
Të ftuar në “MCN Live”, Eduard Xhepa, kryetar i Shoqatës së Turizmit në Durrës, dhe Vasil Bedinaj, kryetar i tur-operatorëve në jug, theksuan se turizmi po trashëgon sfida kronike që përsëriten çdo vit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit.
Xhepa u shpreh se, pavarësisht rritjes së prenotimeve në Durrës, synimi kryesor mbetet zgjerimi i sezonit turistik.
Sezoni ka nisur shumë më herët këtë vit, i favorizuar edhe nga moti i mirë që në fillim të majit, ndërsa fluksi i turistëve është në rritje.
Trendi në Durrës është pozitiv, por rritja mbetet graduale dhe kërkon përmirësim të mëtejshëm të standardeve.
Ajo që vihet re është gjithashtu një shtim të turistëve nga Anglia dhe Finlanda, çka tregon një zgjerim të tregjeve dhe potencial për zgjatjen e sezonit turistik.
Pra, ky është synimi jonë këtë vit.
Nga ana tjetër, Vasil Bedinaj u shpreh optimist për sezonin, duke theksuar se prenotimet janë rritur me rreth 15% krahasuar me një vit më parë.
Rritja me 13-15% ka nisur që në muajin mars dhe ka vijuar me të njëjtin trend edhe në prill dhe maj.
Pjesa dërrmuese e turistëve janë të huaj, çka përbën një sinjal pozitiv për turizmin shqiptar.
Synimi mbetet që sezoni turistik të mos kufizohet vetëm në muajt korrik dhe gusht, por të shtrihet gjatë gjithë vitit.
Aktualisht maji ka arritur një nivel të kënaqshëm prenotimesh, ndërsa pritshmëritë janë që qershori të shënojë rritje edhe më të madhe, duke konfirmuar një sezon turistik në zgjerim.



