
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka urdhëruar të shtunën ministrin e tij të Mbrojtjes që të marrë masat më ekstreme për të mbrojtur kufijtë e vendit.
Lukashenko mendon se ka fituar një mandat të gjashtë presidencial me 80% të votave.
Lideri më jetëgjatë në Europë është shprehur se trupat e NATO-s në Poloni dhe Lituani po stërviten seriozisht pranë kufirit me Bjellorusinë dhe për këtë arsye ka urdhëruar që trupat të jenë në gatishmëri.
Por, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda e ka përgënjeshtruar një gjë të tillë.
“Kjo na bën që të marrim masat më të rrepta për të mbrojtur integritetin tonë territorial”, tha Lukashenko.
Ai bëri një koment të tillë ndërsa po inspektonte trupat pranë kufirit me Poloninë.
Ndërsa në datat 28-31 gusht është planifikuar mbajtja e stërvitjes më të madhe në rajonin e Grodno.
Më shumë se 100 mijë persona dolën javën e kaluar në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos.
Opozita kërkon zgjedhje të reja dhe kalim paqësor të pushtetit.



