Anëtari i Këshillit Bashkiak Vlorë, Gjergji Nika për protestën e tregtarëve të tregut industrial në Vlorë këtë të shtunë ku u përplasën me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, duke kundërshtuar vendimin e miratuar në Këshillin Bashkiak për t’u zhvendosur në Jalli të Nartës, gjatë kohës së ndërtimit të tregut të ri, thotë se vendimmarrja është abuzive.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se projektvendimi u paraqit jashtë radhe u fut në rendin e ditës me arrogancë, pa kaluar në komisionet përkatëse dhe në fund të mbledhjes u votua po me arrogancë.
Nga ana tjetër ai e cilësoi spontane përplasjen me ministren Spiropali, duke thënë se tregtarët kanë dhjetë ditë që bëjnë protesta.
Tregtarët kanë dhjetë ditë që bëjnë protesta, janë takuar edhe dy herë me kryebashkiaken, por pa zgjidhje. Projektvendimi parashikon çuarjen e tregut jashtë qytetit ose në vende të papërshtatshme, duan ta spostojnë në Jalli të Nartës, atje ku bëhet tregu i fruta perimeve me shumicë. Ai është shumë larg. Projektvendimi u paraqit jashtë radhe u fut në rendin e ditës me arrogancë, pa kaluar në komisionet përkatëse dhe në fund të mbledhjes e kaluan me arrogancë dhe e votuan.
Ai treg është atje prej 34 vitesh, tregtarët dhe opozita nuk janë kundër zhvillimit të zonës se është projekt i Fondit Kombëtar të Zhvillimit për ta kthyer në identitet. Por bashkia dhe kryebashkiaku duhet të krijonte një treg dhe ta bënte gati që t’i zhvendoste. Aty janë rreth 200 tregtarë të cilët prej 34 vitesh ushtrojnë aktivitetin në atë treg. Sot në rrugë janë hedhur 200 familje të qytetit të Vlorës. Bashkia iu çoi një njoftim arrogant që brenda tre ditëve duhet të lirojnë vendet pa pasur një vend se ku do i çonte.
Problemi i qeverisë është se keqmenaxhohet dhe menaxhohet me arrogancë. Bashkia ka prona shtetërore sa të dojë në qytet dhe jo vetëm në qytet por dhe në vende të tjera. Ky është treg provizor dhe ambienti është diku te 700-800 metër katrorë dhe mund ta vendosin kudo në qytet. Se tregu është provizor deri sa të krijohet një treg i ri. Sot tregtarët prisnin ministrin Rama, rastisën zonjën Spiropali dhe kanë debatuar me të. Nuk duhet të bëjnë të paditur se kjo situatë ka dhjetë ditë që vlon. Se do vij një moment që jo vetëm tregtarët por do ngrihen të gjithë aktorët që çështja të zgjidhet.
Tregu industrial është rreth 100 metër larg sheshit të Flamurit, është në zonën e qendrës, në zonën e Kapeles. Ajo zonë nuk do ketë ndërtime të reja, ka pallate katër dhe pesë kate. Do e kthejnë një zonë si “Muradia”, duke e kthyer një zonë të vjetër. Ata tregtarë do kthehen aty, por problemi është deri sa të mbarojë projekti i asaj zone që mund të dojë 12 apo 18 muaj këta tregtarë ç’mund të bëjnë, ata do kenë falimentuar.
Ne si opozitë propozojmë që drejtoria e aseteve në bashki të shikojë pronat e shtetit apo të marrë me qira prona të privatit, me dashamirësi dhe vullnet pozitiv duke i dëgjuar dhe tregtarët për të gjetur një vend të përshtatshëm brenda qytetit se është një treg dinamik. Përplasja me zonjën Spiropali ishte totalisht spontane, nuk ka pasur asnjë organizim nga opozita. Tregtitë e vogla për individë bëhen brenda qytetit dhe jo jashtë qytetit.



