
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar sot ndryshime në sistemin shëndetësor për vaksinimin e fëmijëve nga 0-18 vjeç. Manastirliu tha se për dy javë do të bëhet verifikimi i kartelave të vaksinimit, në çdo kopësht, çerdhe dhe shkollë. Të përfshirë në kontrolle, do të jenë edhe privatët, theksoi ministrja.
Ajo bëri me dije sot se nga 1 tetori, kalendarit të vaksinimit në vendin tonë do t’i shtohet edhe një tjetër.
Përmes një konference për shtyp ministrja theksoi se bëhet fjalë për vaksinën e re Rotavirusit, ndërsa shtoi se do të ketë edhe verfikim të kartelave.
Manastirliu njoftoi se nga 11 vaksina, në kalendar do të shtohet edhe një vaksinë tjetër.
“ISHP do të mbikqyrë të gjithë procesin. Të mundet të kemi një vlerësim të shpejtë të situatës për t’a adresuar më pas aty ku duhet përfunduar procesi. Është me rëndësi të theksojmë edhe investimet, dhe bazuar në financimin që qeveria shqiptare ka bërë, kemi arritur të mbulojmë vaksinat, duke iu afruar kalendarit evropian. Kemi 11 vaksina, do i bëjmë 12 në kalendar”, njoftoi minstrja Manastirliu.
Vaksina për rotavirus është vaksinë që jepet në gojë. Ajo mbron nga rotavirusi, parandalon diarren, dhimbjen e stomakut dhe vjelljen.



