Mihallaq Bitrit në fshatin Boboshticë të Korçës, ka një sipërfaqe prej rreth 3300 metra katrorë tokë, për të cilën ai pretendon se nuk po merr shërbimin e nevojshëm nga institucionet përgjegjëse për ta zhvilluar sipas vullnetit të tij si pronar i ligjshëm.
Sipas tij, megjithëse prona është në emrin e tij dhe dokumentacioni rezulton i rregullt, ai nuk ka mundur të kryejë ndarjen e parcelës në dy pjesë, një procedurë që do t’i mundësonte zhvillimin dhe përdorimin e saj sipas planeve personale.
Prona ka një sipërfaqe të konsiderueshme dhe paraqitet e ndarë në dy pjesë të ndryshme, ndërsa pronari shprehet se nuk po gjen mbështetje apo shërbim nga institucionet përkatëse për zgjidhjen e situatës.
Në intervistën e tij, Mihallaq Bitri shprehet se si pronar i ligjshëm i lind e drejta për ta zhvilluar pronën sipas dëshirës dhe nevojave të tij.
Ai tregon se është paraqitur disa herë pranë zyrave të Hipotekës, por nuk ka marrë një përgjigje apo orientim të qartë mbi procedurat që duhet të ndjekë.
Sipas tij, një nga arsyet e dhëna nga institucioni lidhet me pretendimin për konflikte kufitare, megjithëse ai deklaron se prona e tij nuk ka asnjë konflikt me pronarët fqinjë dhe se i gjithë dokumentacioni i nevojshëm është i plotë dhe në përputhje me ligjin.
Për të kuptuar më tej situatën dhe për të marrë një qëndrim institucional, Xhadat shkuan pranë zyrës së Hipotekës në Korçë.
Përfaqësuesit e institucionit kërkuan paraqitjen e një kërkese zyrtare me shkrim, duke argumentuar se nevojitej kohë për të verifikuar dhe investiguar rastin përpara se të jepnin një përgjigje përfundimtare.
Pas përpilimit të kërkesës, ajo u dorëzua pranë institucionit, i cili pajisi palën me një numër protokolli dhe garantoi se përgjigjja do të jepej brenda afateve ligjore të parashikuara.
Pritshmëria mbetet që nëpërmjet kësaj procedure të arrihet një zgjidhje sa më e shpejtë për problematikën e ngritur nga pronari.



