Spanja ka shënuar 950 viktima brenda 24 orëve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 10,003 persona, ndërsa raporton 110 mijë e 238 të infektuar.
Spanja u rendit në vendin e dytë pas Italisë me numrin më të madh të viktimave në botë.
Shifrat e reja vijnë pasi Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan numrin e tyre më të lartë të viktimave brenda 24 orëve, që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.
SHBA, ka shënuar 884 vdekje si pasojë e Covid-19, referuar të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins dhe 213 mijë persona të infektuar me koronavirus.
Në Britaninë e Madhe, 563 njerëz kanë ndërruar jetë nga Covid-19, duke detyruar kryeministrin Boris Johnson të mërkurën ta quajë “një ditë të trishtuar”.
Në të gjithë botën mbi 938 mijë persona janë diagnostikuar me koronavirus dhe gati 194 mijë e 400 janë shëruar. Ndërsa, 47 mijë e 200 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit Covid-19.



