Një video e re e publikuar në rrjetet sociale ka tronditur Shtetet e Bashkuara. Pamjet zbulojnë dhunën e ushtruar nga policia ndaj një djali afro-amerikan, i cili ndërroi jetë nga asfiksia.
Video, e xhiruar në muajin mars, por vetëm tani është publikuar nga familjarët, tregon disa oficerë policie që arrestojnë një 30-vjeçar me probleme mendore, ndërsa ai vrapon i zhveshur nëpër rrugët e Rochester, në periferi të Nju Jorkut.
Policët, pasi e kapin, i vendosin në kokë një thes. Në pamjet e publikuara, policët shihen duke i mbuluar kokën, ndërsa e shtrijnë atë në tokë për rreth dy minuta.
Daniel Prudë, në video, dëgjohet duke iu lutur oficerëve të policisë që t’ia heqin nga koka thesin e vendosur, pasi po e pengonte të mbushej me ajër.
Në vend që policët t’i heqin thesin, ata e godasin, duke i përplasur kokën në tokë dhe duke e mbajtur për disa minuta të bllokuar ashtu të shtrirë.
Mësohet se viktima ishte me origjinë nga Çikago. Ai sapo kishte mbërritur në Rochester për një vizitë me familjen e tij.
Policia ndërhyri pasi i vëllai Joe, telefonoi 911 për të raportuar zhdukjen e vëllait të tij nga shtëpia ku po qëndronin, duke shpjeguar se Daniel vuantë nga çrregullime mendore.
Oficerët e policisë po hetohen nga Prokuroria e Nju Jorkut.
Raporti i një eksperti mjekësor flet për “vrasje të shkaktuar nga asfiksia për shkak të shtrëngimit fizik”.
Në të njëjtën natë, policët vranë një tjetër afro-amerikan në Uashington gjatë një kontrolli për armëmbajtje pa leje në jug-lindje të kryeqytetit.
“Teksa oficerët e policisë iu afruan një makine, disa nga personat që ishin në të u larguan, ndërsa policia qëlloi drejt tyre duke lënë në vend një të vdekur”, shpjegoi shefi i policisë së Uashingtonit, Peter Newsham në një konferencë shtypi.
“Ne besojmë se ata ishin të armatosur dhe në fakt dy armë u gjeten në vend”, shpjegoi ai.



