
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se Komisioni Evropian ka ndarë 50 milionë euro për Kosovën.
Në një postim në Twitter, Szunyog ka thënë se përmes kësaj tregohet mbështetja e BE-së për adresimin e sfidave të shkaktuara nga pandemia.
Ai tutje ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me autoritetet kosovare në implementimin e politikave efektive që kanë për qëllim rimëkëmbjen më të shpejtë dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.
“Komisioni Evropian ka ndarë sot 50 milionë euro për Kosovën në kaudër të huasë për asistencë makro-financiare. Një shumë tjetër prej 50 milionë eurosh janë ndarë tashmë për Kosovën, duke çuar totalin në 100 milionë euro. Kjo tregon mbështetjen e Bashkimi Evropian për të adresuar sfidat socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, ka shkruar ai.
Në kuadër të kësaj ndihme Komisioni Evropian ka ndarë 300 milionë euro për Tunesinë, 50 milionë për Kosovën, 30 milionë për Malin e Zi dhe 80 milion për Maqedoninë e Veriut, nga fondi prej 3 miliardë euro për ndihmën e vendeve të rajonit të cilat kanë pësuar nga pandemia.
Në tetor Kosova kishte marrë 50 milionë eurot e para.



