
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu të premten theksoi se brenda vitit do të përfundojë kompleksi i ri spitalor në Kukës, ku puna ka vijuar pavarësisht situatës së pandemisë.
“Faza e parë e këtij investimi është drejt përfundimit. Është formësuar tashmë urgjenca e re, me të gjithë shërbimin e triazhit. Në këtë fazë të parë përfundon edhe rehabilitimi i tre sallave të reja të kirurgjisë. Do të ketë tunele që lidhen me maternitetin dhe shërbimet e tjera”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera, Manastirliu tha se kompleksi i ri spitalor do të ketë edhe maternitetin e ri, i cili do të vendoset në godinën që sot shërben për urgjencat.
“Brenda kompleksit spitalor do të ndërtohet edhe materniteti i ri me një kapacitet prej 43 shtetër dhe 21 dhoma shtrimi, i cili do të lidhet me bllokun e kirurgjisë me korridor. Faza e dytë është parashikuar të përfundojë në prillin e vitit që vjen, por sipas punës së bërë ndërtimi do të përfundojë brenda vitit”, tha ajo
Sa i përket situatës së COVID19 në Kukës, Ministrja e Shëndetësisë tha se rezultojnë të shëruar 5 rastet e importuara nga Kosova dhe tashmë edhe Kuksi do të jetë zonë e gjelbër.



