Kryeministri Avdullah Hoti ka adresuar kritika te Policia dhe Inspektorët në Kosovë se nuk po përkujdesen sa duhet që të respektohen masat anti COVID-19. Ai ka paralajmëruar ndëshkim për përgjegjësit.
Pas takimit që mbajti sot me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, në konferencë për media kryeministri Hoti tha se kanë arritur në një vlerësim të përbashkët që janë tri masa që e mbrojnë jetën e qytetarëve nga COVID-19, mbajta e detyruar e maskës mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës.
“Në këtë drejtim Policia dhe Inspektorët duhet të bëjnë punën e tyre. Jemi të shqetësuar me mos respektimin e masave në disa raste dhe mos angazhimin e policisë dhe inspektoratit për këto raste”, tha Hoti.
Kryeministri Hoti ka thënë se ka pasur edhe protesta midis Prishtinës pa lejen e policisë, po ashtu edhe aktiviteteve sportive. “ Kjo nuk do të lejohet asnjëherë. Do të marrin përgjegjësi ata që janë përgjegjës”, deklaroi ai.
Hoti tha se po bëhet përpjeke që të krijohen kapacitete shtesë në institucionet shëndetësore, teksa ka përmendur edhe mundësinë e mbylljes së disa reparteve në QKUK dhe shfrytëzimin e tyre në luftë kundër pandemisë.
“Ndërkohë janë rreth 570 pacientë të shtrirë dhe ne kemi rreth 700 shtretër në dispozicion. Ne duhet të mendojmë në riorganizimin e QKUK-së për të mbyllur disa reparte në mënyrë që të shërbejnë për mirëmbajtje të pandemisë. Kemi punuar mjaft që të krijohen kapacitetet shtesë për testime. Kjo në mënyrë që të trefishohen testimet. Ka filluar Instituti që të udhëzoj Ministrinë e Arsimit që ta këshilloj për fillim vitin shkollor”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.
Ndërkohë që paralajmëroi se javën që vjen pritet të kalojë ligji për buxhetin në mënyrë që të ekzekutohet Pakoja e rimëkëmbjes.
“Lidhur me pakon për Rimëkëmbjen ekonomike gjatë javës së ardhshme pritet që ligji për buxhetin të hyjë në lexim të dytë dhe të përmbyllet. Krahas kësaj e kemi dërgua edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike ku parashihet edhe zbatimi i fondeve për rimëkëmbje ekonomike. Pres që para se Kuvendi të shkoj për pushime kjo të përmbyllet”, tha Hoti.
Ndërkaq drejtori i SHSKUK-së, Valbon Kraniqi, ka thënë se nga 570 pacientë sa po trajtohen për COVID-19, 250 janë në QKUK dhe 320 pacientë janë në spitalet rajonale në vend.



