
Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.
Nga këndvështrimi i psikologjisë, shëndeti mendor mund të përfshijë aftësinë e një individi për të shijuar jetën dhe për të krijuar një ekuilibër midis aktiviteteve të jetës dhe përpjekjeve për të rritur aftësinë psikologjike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), shëndeti mendor përfshin “mirëqenien subjektive, vetë-efikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën, varësinë ndërgjeneruese dhe vetëaktualizimin e potencialit intelektual dhe emocional të dikujt”.
Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.



