Sezoni turistik ka hapur dyert e 29 qendrave verore të shërbimit spitalor në tërë vendin. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë kryer mbi 20 mijë mjekësore në këto qendra, ku parësore ka qenë shërbimi ndaj pushuesve si vendas ashtu edhe ata të huaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar një prej këtyre qendrave në Ksamil.
Ajo bëri me dije ndër të tjera se dy qendra ndodhen në Ksamil për shkak të numrit të lartë të pushuesve. Një tjetër ndërkaq ndodhet në Borsh, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
170 mjekë dhe infermierë janë në krye të detyrës në gjithë vendin, për t’u ofruar shërbime qytetarëve. Ndër ndihmat e dhëna deri tani, 25% kanë shkuar për turistët e huaj.
Ndërkohë një tjetër aspekt i shërbimeve është edhe ai i testimit ndaj COVID-19. Jo vetëm teste të zakonshme por edhe ato të shpejta, ofrohen në këto qendra. Kjo, në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit.
I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Urgjencës Spitalore, Skënder Brataj. Ai këto qendra shërbimesh, i përkufizoi si spitale të mirëfillta. Gjithashtu, ato i shërbejnë edhe studentëve, të cilët kryejnë praktika të vlefshme. Aspekt tjetër i tyre është edhe edukimi i pushuesve në rast të dhënies së ndihmës së shpejtë.
Të 29 pikat spitalore do të mbeten të hapura deri në fund të sezonit turistik.



