
Në kuadër të Ditës Botërore të Autizmit, qeveria shqiptare ka vendosur të dyfishojë pagesën mujore për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, do të njihet edhe sigurimi shoqëror dhe shëndetësor për rreth 14 mijë kujdestarë dhe ndihmës të tyre.
Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, të zhvilluar në Berat, zv.kryeministrja Albana Koçiu theksoi se kjo kategori do të përfitojë shërbime më të specializuara dhe një kujdes më të posaçëm.
Në fjalën e saj, Koçiu u shpreh se, me ftesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, morën pjesë në këtë aktivitet që prezantoi punën e qendrave zhvillimore dhe atyre që ofrojnë shërbime ditore dhe rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara.
Ajo shtoi se zbatimi korrekt i këtij plani nga Shërbimi Social Shtetëror dhe stafi i përkushtuar do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së kësaj kategorie.
Duke folur për masat konkrete, zv.kryeministrja nënvizoi se qeveria, duke e konsideruar këtë një detyrim moral dhe social, ka ndërmarrë vendimin për të dyfishuar pagesën mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç. Sipas saj, kjo do të krijojë më shumë mundësi për familjet dhe për vetë fëmijët për të përfituar shërbime më cilësore dhe më të specializuara.
Nga ana tjetër, ajo bëri të ditur se do të njihet një kërkesë e kahershme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për mbi 14 mijë kujdestarë, të cilët ofrojnë përkujdesje të përditshme për personat me aftësi të kufizuara.
Koçiu theksoi se këta kujdestarë, jo vetëm prindër, por edhe persona të tjerë të përkushtuar, meritojnë mbështetje institucionale, duke përfshirë njohjen e kontributeve për një pension dinjitoz dhe akses në skemat e sigurimeve.
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vuri në dukje rolin kyç të qeverisjes vendore në zbatimin e këtyre politikave, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe koordinim më të fortë mes nivelit qendror dhe atij lokal.



