Mbrëmjen e sotme, pas mesnate duke u nisur dita e diel do të ndryshojë ora.
Në orën 03.00 të datës 25 tetor, ndryshon ora dhe për rrjedhojë akrepat duhet të kthehen 60 minuta prapa, në orën 02.00. Në këtë mënyrë rikuperojmë orën që “humbëm” në fund të marsit duke vijëzuar orët me lëvizjen e diellit.
Do të flemë një orë më shumë në mëngjes, por do të humbasim një orë dritë natyrale në mbrëmje.
Zakoni i ndryshimit të orës u shpërnda në Europë që nga viti 1974, kur vendet e botës donin të kursenin energjinë elektrike duke shfrytëzuar kështu diellin. Ora ndërrohet dy here në vit, njëherë në muajin tetor dhe më pas në muajin mars, pasi në këtë periudhë dita zgjat më shumë dhe sjell më shumë kursim të energjisë elektrike.
Duket se Bashkimi Europian do të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës, e për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri vitin 2021 për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.



