Izolimi në shtëpi për shkak të pandemisë së Covid-19 ka zbrazur rrgët, por ka zhvendosur “trafikun” online. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që qëndrojnë në shtëpi, një pjesë e madhe e të cilëve edhe punojnë prej andej, kryeministri Rama bëri të ditur një paketë që ka për qëllim lehtësimin e aksesit në internet.
“Përmes AKEP-it kemi ngarkuar operatorët dhe sipërmarrësit të ofrojnë për pajtimtarët mundësi shfrytëzimi maksimal dhe cilësor, me kushte sa më të favorshme. Edhe pas testeve teknike që janë bërë dhe janë koordinuar në vendimmarrje lidhur me ofertat e vlefshme nga nesër deri në fund të prillit do të ofrohet oferta me 50% internet për 5 javë, akses falas në internet në çdo platformë edukative. Abonentët me kontratë fikse kanë akses në platformat për fëmijë 60% më lirë”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi përdorimin me përgjegjësi të internetit, për të shmangur kolapsin e rrjetit.
“Përgjegjshmëria është shumë e rëndësishme. Patjetër që interneti në këto kohë është shumë i rëndësishëm, por kurseni ato komentet që bëni në këtë faqe. E rëndësishme është që këtë kohë ta shfrytëzojmë bashkarisht, të lidhur me besë a besë”, tha ai.



