Partia Demokratike ka hyrë në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e datës 22 korrik për kryetar të PD-së. Kandidatët Lulzim Basha dhe Eduart Selami vijojnë takimet me shtabet në rrethe. Ndërkohë jashtë garës mbeti Astrit Patozi, të cilit nuk iu plotësuan kushtet për dorëheqjen e Bashës dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve për në javën e parë të shtatorit.
Sipas firmëtarëve që kërkuan dorëheqjen e Bashës, gara është e pabarabartë ku dihet fituesi para se të bëhen votimet. Sipas Kryetarit të Këshilltarëve nga PD për bashkinë e Tiranës Leonard Olli, Basha humbi dy palë zgjedhje ku trendi ka qenë gjithmonë në rënie, ndaj sipas tij kreu aktual i PD-së duhet të jepte dorëheqjen.
Sakaq në studion e Tema TV, Olli ka folur edhe ndërtimin që po bëhet tek ish parku i autobusëve. Olli tha se në pamje të parë ndërtimi është i ligjshëm por sipas tij kryebashkiaku Veliaj nuk po zbaton raportin e gjelbërimit me atë të betonizimit. Këtu Olli akuzon kryebashkiakun se nuk po shkëputet dot nga urdhrat e kryeministrit Rama për betonizimin e kryeqytetit.



