
Kryeministri britanik Boris Johnson të dielën do të paraqesë planin e tij të lehtësimit të masave bllokuese, pas daljes së udhëzimeve të reja se si do të mbahet veçimi shoqëror në mjediset e punës.
Masat e vendosura të izolimit në fund të muajit mars do të rishikohen të enjten në Britani, në një nga vendet më të goditura nga pandemia Covid-19, por që Qeveria ka deklaruar se masat do vijnë gradualisht duke u lehtësuar.
Udhëzimi i ri i hartuar nga shefat e kompanive dhe sindikatat, parë nga BBC dhe Financial Times, sugjeron se punonjësit e zyrave do të inkurajohen të qëndrojnë në shtëpi për muaj të tërë me qëllim shmangien e mbingarkesës të transportit publik.
Por në ato institucione ku stafi e ka të detyruar të shkojë u kërkohet që të shmangen ndërrimet, punëtorët të mos ndajnë të njëjtat tryeza pune, të rrisin masat higjieno-sanitare, të ruajnë veçimin shoqëror dhe të kufizojnë numrin e njerëzve në ashensorë.
Punëtorët e dyqaneve ose ata të bankave që merren me një numër të madh klientësh iu është sugjeruar mbrojtje përmes ndarjeve me plastikë, edhe pse nuk ka të dhëna se çfarë lloje pajisjesh mbrojtëse mund të kërkojnë punonjësit e tjerë.
Britanikëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, përveç atyre rasteve që janë të detyruar të shkojnë në punë, të blejnë ushqime apo të bëjnë stërvitje, por gjithmonë duke ruajtur distancën prej dy metrash largësi nga njerëzit e tjerë.
Ruajtja e kësaj largësie mes njerëzve, gjatë hapjes së ekonomisë në vend, do të sjellë probleme të mëdha.
“Kjo largësi nuk ka për të funksionuar gjatë udhëtimit në avion apo në ndonjë tjetër mjet të transportit publik, por problemi nuk është vetëm avioni, por edhe mungesa e hapësirës në aeroporte”, tha shefi ekzekutiv i aeroportit Heathrow të Londrës, John Holland-Kaye.
Britania e Madhe deri tani ka raportuar 28 mijë e 446 viktima si pasojë e virusit Covid-19, duke u renditur si një nga vendet më të prekura në Europë.



