
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë kanë arritur 556 mijë vaksina anti-Covid të kompanisë Pfizer, si donacion i SHBA, përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53,820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer.
Ministria e Shëndetësisë njofton se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë dorëzuar sot 556,920 doza të vaksinës Pfizer.
Prej këtij kontingjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53 820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer.
“Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore, që të vaksinohen, si mënyra më adekuate për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Kosova në total ka administruar 922.623 doza të vaksinës anti-Covid. 615.156 persona janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 307.467 edhe me dozën e dytë.
Duke nisur nga 13 shtatori, vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë të dielave.



