Qindra qytetarë të Vlorës, nxënës të gjimnazit ku studionte 17-vjeçari i aksidentuar për vdekje si dhe familjarë marshuan në heshtje në bulevardin kryesor të qytetit, deri në vendin ku ndodhi ngjarja e rendë.
Me foton e Leandro Shametaj dhe mesazhe të forta të shkruara në pankartat që mbanin në duar të pranishmit, bëhej apel për më shumë përgjegjshmëri dhe ndëshkim për ata që shkaktojnë aksidente dhe marrin jetë në rrugë, raportoi gazetarja Arjola Hasanaj për edicionin e lajmeve në MCN TV.
“Drejtësi për Leandron”, ishte thirrja e të pranishmëve në këtë marshim të heshtur, nisur nga gjimnazi “Ali Demi” dhe vijuar përgjatë bulevardit aty ku më pas u vendosën edhe buqeta me lule dhe qirinj në kujtim të Leandros pranë fotos së tij.



