Mustafa Nano dhe Kaon Serjani kanë rënë dakord të zhvillojnë një debat publik në ambientet e hotelit Tirana International, ditën e enjte, 23 prill, në orën 18.30. Ata do të ballafaqojnë vizionet e tyre mbi botën, i pari si ateist dhe i dyti si besimtar i krishterë dhe apologjet.
Debati do të zhvillohet në prani të publikut, dhe do të filmohet. Është një nga veprimtaritë e rralla të këtij lloji në Tiranë, dhe në rrjetet sociale është vënë re një lloj interesi për të marrë pjesë.
Tema e debatit do të jetë: “Ateizmi apo Krishterimi, i cili ofron shpjegimin më të mirë të realitetit.”
Nano e ka bërë të qartë me kohë ateizmin e vet, ndërsa Kaon Serjani është një intelektual i krishterë i shfaqur rishtazi në jetën publike shqiptare.
Që të dy e kanë publikuar njoftimin mbi këtë debat në profilet e tyre në rrjetet sociale.



