Seit Shallari, profesor i Universitetit Bujqësor, thotë se shumica e lumenjve në Shqipëri janë të ndotur. Sipas një studimi, pjesë e të cilit ai është, Ishmi mund të jetë lumi më i ndotur, ndërsa Vjosa është më pak e prekur nga ndotja.
Studimi është në kuadër të projektit “EU for rivers”. Vitin e kaluar, ky studim synonte vlerësimin e cilësisë së ujërave të disa lumenjve. U bazuam në të dhënat ekzistuese por edhe në të dhëna të dala nga analizat e reja.
Të dhënat që ne kemi janë bazike, treguesit më bazikë që vlerësojnë cilësinë kimike. Sipas të dhënave që kemi, rrjedhat e sipërme të lumenjve kanë cilësi më të mirë të ujit. Ajo ndryshon në parametra kimikë, pra ujërat ndoten me substanca që vijnë nga ujërat e zeza urbane, shkarkimet nga aktivitete përgjatë rrjedhës së këtyre lumenjve. Hasen segmente të caktuara ku cilësia është e keqe.
Probleme kanë rrjedhat e lumenjve që kalojnë afër qyteteve. P.sh. një pjesë e rrjedhës së Bunës, shumë i ndotur është Drini i Lezhës, fundi i rrjedhës së Osumit, fundi i rrjedhës së Devollit, Semani është i ndotur, Gjanica gjithashtu.
Atij të Tiranës nuk po i them lumë se është kanal i ujërave të zeza. Ishmi mund të jetë lumi më i ndotur i Europës. Erzeni ka të njëjtën problematikë. Vjosa ka cilësi më të mirë ujërash.



