Një tabelë e vendosur në një lokal në Elbasan ku kërkohej një punonjëse pa ngjyrë ka ngjallur reagime në shoqëri veçanërisht tek komuniteti rom.
Në kuadër të kësaj situate ditën e djeshme, por dhe sot anëtarë të komunitetit dhe mbrojtësit e të drejtave janë mbledhur në një protestë ku kërkonin dënimin e diskriminimeve të tilla me bazë racore.
Për MCN Live gazetari Enes Molla ka marrë në pyetje disa nga protestueset të cilat janë shprehur se më shumë diskriminimin e ndiejnë tek bizneset pasi nuk i punësojnë.
Ato përcjellin mesazhet se duhet të vlerësohen nga puna e tyre dhe jo ngjyra, ndërsa theksojnë se një racizëm i tillë nuk duhet të ekzistojnë pasi të gjithë janë të barabartë dhe ata kanë të drejtat e tyre.
Pse na diskriminojnë. Jemi të gjithë njësoj ata të mos shohin ngjyrën tonë por punën. Jam tre pjesëtarë në familje, ajo ishte e vetmja mundësi pune që mund të më nxirrte nga situata. Por ky diskriminim nuk është i mirë vetëm pse jemi me ngjyrë. Më ka ndodhur dhe më herët mua kur kam shkuar me një shoqen time dhe më tha dua pastruese por nuk e dua me ngjyrë. Mesazhi im është që njerëzit nuk duhet të flasin me këtë gjuhë, të mos na paragjykojnë dhe diskriminojmë por të ecet para dhe të mos ekzistojë ky lloj diskriminimi.
Ndërsa një tjetër rast është ai i një banoreje e cila kishte shkuar për të regjistruar fëmijët në shkollë dhe i kanë thënë se për ju nuk ka vend këtu.
Shkoni në një shkollë tjetër sepse jeni rom, për ju nuk ka vend këtu. Kjo më ka rënduar sepse diskriminimi nuk është i mirë dhe ne kemi të drejtat tona, fëmijët tanë kanë të drejtën e tyre të shkollohen dhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie.



