Macet shpesh kafshojnë shpejt, veçanërisht gjatë lojërave, por ndonjëherë edhe kur ndjehen të kërcënuara ose të mërzitura.
Në krahasim me kafshimet e qenve, ato të maceve kanë më shumë mundësi të shkaktojnë infeksione, bëri të ditur veterinerja Ornela Mebelli në një komunikim për programin “Zgjohu me MCN”.
Ajo shpjegon se, ndonëse kafshimet e maceve janë më të lehta në raport me ato të qenve, ato nuk janë të pafajshme dhe kërkojnë trajtim të duhur.
Nëse macja është kafshë shtëpie dhe kemi pësuar një kafshim në çdo pjesë të trupit, është e rëndësishme të shqyrtojmë thellësinë e kafshimit.
Nëse kafshimi është i thellë, duhet të pastroni zonën me alkool dhe betadinë.
Po ashtu, duhet të vëmë re nëse zona përreth kafshimit skuqet dhe fryhet, sepse kjo mund të tregojë se kafshimi ka shkaktuar një infeksion të mundshëm.
Mebelli gjithashtu theksoi se është e rëndësishme të dallojmë llojet e kafshimeve.
Nëse macja nuk është e vaksinuar ose është një mace e rritur rrugëve, është e rekomandueshme të pastrohet zona e kafshuar dhe të përdoren antibiotikë lokal për disa ditë, në mënyrë që të shmanget infektimi nga bakteret e mundshme që mund të përmbajë kafsha.
Në raste të tilla, kur dyshoni për një infeksion ose nëse kafshimi është më i thellë, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek ose veteriner, për të marrë trajtimin e duhur dhe për të shmangur komplikimet.



