
Neil Ferguson, anëtar i task-forcës qeveritare kundër epidemisë dhe personi që bindi kryeministrin Boris Johnson të vendosë masat e bllokimit në Britaninë e Madhe për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit, u takua disa herë me të dashurën e tij gjatë bllokimit, duke u detyruar kështu të japë dorëheqjen.
Incidenti, i cili është konsideruar i jashtëzakonshëm, u zbulua në sajë të një investigimi të The Telegrahp.
Gazeta britanike, në të vërtetë zbuloi se Ferguson, një epidemiolog 51-vjeçar nga Imperial College London dhe anëtar i Sage, komiteti tekniko-shkencor, i ngritur për të këshilluar qeverinë britanike për masat e marra që duhen në luftën kundër virusit, ka takuar disa herë të dashurën e tij, Antonia Staats, gjatë bllokimit të vendit.
Referuar The Telegrahp, Ferguson dhe Staats, janë takuar me njëri-tjetrin të paktën dy herë që nga fillimi i masave të bllokimit të vendit, pra, nga 30 marsi deri në 8 prill.
I vendosur në qendër të sulmit, epidemiologu nuk i mohoi takimet me të dashurën, duke justifikuar vetveten se ishte “imun” nga virusi Covid-19. Në të vërtetë, ai u prek nga koronavirusi, por tha se të dashurën e takoi pas 14 ditëve karantinë.
Ai që kishte sugjeruar bllokimin e vendit qeverisë britanike si një masë paraprake për parandalimin e epidemisë, ishte personi që i kishte shkelur disa herë ato masa dhe për këtë arsye, të martën në darkë, ai dha dorëheqjen nga tast-forca qeveritare.
“Unë bëra një gabim të rëndë. Kështu që dhashë dorëheqjen nga komiteti shkencor i qeverisë kundër virusit Covid-19. Jam i tronditur, pasi vura në diskutim rregullat e vendosura kundër epidemisë”, tha ai.
Lajmi i dorëheqjes nuk kaloi pa vëmendje për pjesën më të madhe të britanikëve, pasi Ferguson, përmes një studimi të realizuar në muajin shkurt, arriti të ndryshojë idenë e bllokimit të vendit jo vetëm për kryeministrin Boris Johnson, por edhe për presidentin francez Macron dhe atë të Shteteve të Bashkuara Donald Trump.
Në studimin e tij, Ferguson hidhte hipotezën se në rast se masat e bllokimit nuk do të marren, Britania e Madhe do të kishte shënuar rreth 500 mijë viktima, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të arrinin rreth 2 milionë viktima si pasojë e virusit Covid-19.



