Zjarri i rënë në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit që prej mesditës së djeshme, vijon të jetë aktiv. Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve dhe forcave të emergjencës, shtëllunga të dendura tymi janë ende të pranishme në ajër, duke krijuar shqetësim për banorët përreth.
Puna ka vijuar gjatë gjithë natës, por flakët janë favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Në terren ndodhen disa mjete zjarrfikëse, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën nga afër.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare për shkakun e zjarrit, ndërsa Prokuroria e Elbasanit vijon hetimet për rastet e përsëritura të zjarreve në këtë zonë problematike.



