Kohë më parë ishte një nga vendet me numrin më të lartë të lindjeve. Por vitet e fundit, edhe Kosova i është bashkuar trendit rënës të rritjes natyrore të popullsisë.
Siç raporton “Zëri”, numri i lindjeve në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për vitin 2019 është 9242 foshnje. Krahasuar me vitin 2018, këtë vit kanë lindur rreth 700 foshnje më pak.
Pavarësisht që ende nuk i kanë siguruar të dhënat nga spitalet rajonale, drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismajli, thotë se trendi i lindjeve është në rënie.
“Ka rënie të lindjeve në krahasim me vitin e kaluar, pasi që në 2018 kemi pasur 9950 lindje, kurse deri tani kemi 9242 lindje. Pra është një rënie e numrit të lindjeve, edhe pse ne nuk i kemi ende statistikat e spitaleve rajonale dhe të spitaleve private. Megjithatë, nuk është një rënie për t’u theksuar”, shton Ismajli.
Sipas Ismailit, shkaktarët kryesorë për rënien e lindjeve mbeten planifikimi familjar, kushtet jo të mira ekonomike, por që tashmë i është shtuar edhe migrimi i të rinjve.
“Mendoj se shkaktarët të cilët kanë ndikuar në këtë rënie janë planifikimi familjar, pastaj kushtet socio-ekonomike, po ashtu edhe migracioni që nuk duhet anashkaluar, pasi një numër i madh i të rinjve kanë filluar të migrojnë”, thotë ai.
Vitin e kaluar, kosovarët u renditën të parët në rajon për shtimin natyror të popullsisë. Kosova është vendi me moshën më të re mesatare në Europë, 28.7 vjeç. Megjithatë, rënia e numrit të lindjeve dhe emigrimi mund të ndikojnë në këtë prirje në vitet e ardhshme.



