
Ish-kreu i Forcave Detare, Artur Meçollari njofton se po hyn në Portin e Durrësit anija e Guardia di Finanza-s italiane, P-04 “Osum”.
Sipas tij, anija P-04 “Osum” u hodh në ujë më tetor 2021 dhe në vitin 2022 i kaloi Guardia di Finanza si anija flamurtare e saj.
Prodhimi i saj u bë në kantierin detar “Vittoria” në Adria sipas projektit të Damen Stan Patrol 6009. Anijes i është vendosur emri nga lumi Osum në Shqipëri, në kujtim të akteve heroike dhe vlerave të treguara të financierëve italian të përfshirë në dy luftërat botërore.
Anija e Guardia di Finanz-ës italiane P-04 “Osum” ka një gjatësi prej 61 m, gjerësi 10 m, zhytje 3.5 m dhe një tonazh prej 500 ton.
Forma hidrodinamike dhe forma “spatë” e bashit i jep asaj karakteristika shumë të mira dhe shpejtësi të lartë.
Kjo anije është anija më e madhe në përdorimin e Guardia di Finanz-ës italiane në historinë e saj.
Meçollari bën të ditur se deri tani anijet më të mëdha të Guardia di Finanz-ës kanë qenë anijet patrulluese P-01 “Monte Sperone” dhe P-02 “Monte Cimone”, me gjatësi 58 m dhe tonazh 460 ton, të prodhuara po në Kantierin Detar “Vittoria”, ndërsa aktualisht inventari i GdF përfshin një flotë prej rreth 400 mjete detare për një bregdet prej 8000 milje detare.



