Fiks Fare kontaktoi me avokaten e Ermirës, zonjën Margarita Kola. Ajo thotë se janë zhvilluar dy gjyqe kujdestarie, i pari ia ka lënë babait, i dyti nënës. Ndërkohë, gjyqi i dytë ndodhet në Apelin e Shkodrës. “Ka referenca nga puna se çfarë Ermira ka bërë në Belgjikë dhe një dosje nga Gjykata Belge, ku provohet stresi, pasi në bazën e dhunës këtu ka marrë azilin atje” thotë avokatja. Sipas avokates, në Apel u caktuan tre psikologe, të cilat bënë edhe raportin e vlerësimit. “Të tria psikologet, në mënyrë unanime, vendosën që fëmija t’i kalojë Ermirës. Në këtë moment, pala kundërshtare bëri kërkesë që gjykata ti bëjë intervistë në shkollë” vijon avokatja, e cila thotë se kjo është shkelje, pasi për fëmijët nën 12 vjeç, gjykata thërret psikologë në bazë të një raporti të vlërësimit. Avokatja shton se çfarë mund ta pyesë gjykata fëmijën, por vetëm mund ta traumatizojë.
“Fiks Fare” tentoi të bisedonte me një nga gjyqtarët e Apelit të Shkodrës, në momentin që dolën nga seanca e pyetjeve të 6-vjeçarit në ambientet e shkollës. Gjyqtari Aleks Marku nuk pranoi të japë asnjë shpjegim. Gazetarët e Fiksit u drejtuan te shkolla 9-vjeçare “Branko Kadia” në Shkodër. Tentuan të bisedonin me drejtoreshën, e cila tha se zbaton vendimet e DAR Shkodër, në lidhje me caktimin e një psikologeje për pyetjen e të miturit. Më pas, Fiksi iu drejtua DAR Shkodër, ku “ndoqi” juristin, i cili “ia futi vrapi” dhe nuk pranoi të intervistohej. Sekretarja e DAR Shkodër u kërkoi gazetarëve që të bënin një kërkesë me shkrim. Ndërkohë, drejtori i DAR Shkodër, Kadri Imeri, tha se nga Gjykata e Apelit Shkodër nuk ka ardhur asnjë autorizim në DAR, por ka shkuar direkt në shkollën 9-vjeçare “Branko Kadia”.
***
Regjistrimi audio i seancës së pyetjes në shkollë të 6-vjeçarit
Mësuesja – Tregoju si e ke emrin se din këto.
Fëmija – Renis.
Gjyqtarja – Renis ku e ke shtëpinë zemër?
Fëmija – Atje.
Gjyqtarja – Renis si e ka emrin babi?
Fëmija – Bledi.
Gjyqtarja – Po mami?
Fëmija – Duhana.
Gjyqtarja – Duhana, a e don shumë ti mamin?
Fëmija – Po.
Gjyqtarja – Kush t’a ka vu emrin ty, a i ke pyet ndonjëherë?
Fëmija – Babi ma ka njit.
Gjyqtarja – Kush të do më fort ty, babi apo mami?
Fëmija – Babi.
Gjyqtarja – A të pëlqen me shku me shëtit, me shku nëpër botë?
Fëmija – Po një fije.
Gjyqtarja – Po teze, a ke ti Renis?
Fëmija – Jo.
Gjyqtarja – Si the e ka emrin babi?
Fëmija – Bledi.
Gjyqtarja – Po unë e njoh babin tat. Po ai më ka përmend mua një teze Ermira (nën e fëmijës). A e njeh ti? A e njeh Ermirën, se ndoshta gaboj unë që i them teze?
Fëmija – Se di.
Gjyqtarja – Se di, ça se njeh hiç, hiç, hiç. Se njeh asnjë Ermira?
Fëmija – Kush është Ermira?
Gjyqtarja – Jo thashë mos e njeh ti, se babi ma ka përmend një herë.
Fëmija – Se di.
Mësuesja – Me qenë edhe unë në prezencën e dikujt që se njeh…
Gjyqtari – Jo, jo normale.
Mësuesja – Do të kisha një problem.
Gjyqtari – Jo, ky as s’u skuq, as s’u zverdh. Është shumë simpatik, kam frikë se do bëhet ndonjë gjë me televizion.


