Shifrat e të prekurve nga Covid-19 në Shqipëri kanë shënuar rritje gjatë dy javëve të para të muajit të Korrik, ndërsa njëkohësisht është rritur edhe numri i personave të shtruar në spital, duke kaluar rekordin e muajit mars.
Por ndërsa specialistët nuk shohin parashikim pozitiv edhe për 2 javët në vijim, ajo që e bën shqetësuese situatën është edhe konfirimimi që vjen nga Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore. Përmes një publikimi, bëhet me dije që në javën e dytë të muajit korrik është vëretjur një tendencë në rritje e thirrjeve kundrejt numrit 127.
“ Më shumë se 15 mijë thirrje kanë mbërritur drejt numrit 127 në javën e dytë të muajit korrik, duke regjistruar një tendencë në rritje, kjo edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19. Po ashtu nisur nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 është rritur edhe numri i misioneve, ku stafi i terrenit të Urgjencës Kombëtare ka dhënë ndihmën mjekësore për të gjithë qytetarët që kanë pasur nevoja mjekësore. Fatkeqësisht është trefishuar numri i referimit për tampon te epidemiologët, çka nënkupton se është një tendencë në rritje edhe e numrit të të infektuarve”, thuhet në një publikim të urgjencës në rrjetet sociale.
Nisur nga këto të dhëna edhe një herë është theksuar rëndësia e respektimit të rregullave.
“Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njërëzve tuaj të dashur. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127”, thuhet në njoftim.



