Ndalimi i anijeve dhe trageteve i imponuar nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 ka krijuar një mrekulli të vogël në ujërat detare të Hong Kongut, ku delfinët rozë janë rikthyer.
Që nga muaji mars kur filloi bllokimi dhe trafiku detar u pezullua për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në ish-koloninë britanike, shikimi i këtyre specieve është rritur me 30 për qind.
Ky është një lajm i mirë për shkencëtarët, të cilët kanë frikë se delfinët rozë janë në prag të zhdukjes.
Të njohur si delfinët kinezë ose delfinët e bardhë, me kalimin e viteve ata janë prekur rëndë nga peshkimi i tepërt, ndotja e ujit dhe trafiku i anijeve dhe trageteve në Oqeanin Indian.
“Delfinët nuk ishin parë për pesë apo gjashtë vjet në ujërat detare të Hong Kongut, por ajo që vumë re është se ata u kthyen pas ndalimit të lundrimit të anijeve dhe trageteve”, tha biologu detar Lindsay Porter.



