
Ministria e Arsimit, Evis Kushi në interpelancë sot në platformën e bashkëqeverisjes kërkuar nga maturantë përfaqësues të “Parlamentit të Nxënësve” në lidhje me rregullat dhe ndryshimet në Maturën Shtetërore 2021, deklaroi se provimet e maturës do të korrigjohen me 30 qershor.
Sipas Kushit, më 15 korrik do të jetë data finale e marrjes se diplomës”. Kushi tha se “Komiteti i Maturës Shtetërore në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, prej disa muajsh ka bërë një punë intensive për të hartuar rregulloren, e cila tashmë është e publikuar online në faqen zyrtare të Ministrisë”.
“Matura shtetërore tashmë prej 15 vitesh është një institucion dhe një e mirë publike e cila garanton jo vetëm transparencë, por dhe cilësi të lartë dhe në gjithë këto vite ne jemi përpjekur të implementojmë të gjithë instrumentet e duhur në mënyrë që kjo garanci dhe kjo cilësi të jetë në të gjitha hallkat e këtij procesi, sepse vërtetë është një proces i gjerë jo vetëm në kohëzgjatje, por dhe për përfshirjen e shumë institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm”, tha ajo.
E pyetur se si do jetë struktura e testit të maturës, Kushi tha se “nisur nga kërkesat e shumta të maturantëve, por edhe nga analiza e eksperteve, kemi vendosur që këtë vite në provimet e maturës shtetërore një pjesë e pyetjeve të jenë të strukturuar me alternativa dhe një pjesë të jenë me zhvillim.
Në total testi përmban 60 pikë dhe nga këto, 20 i takojnë pyetjeve me alternativa dhe 40 pikë i takojnë pyetjeve me zhvillim. Do ketë tre nivele vështirësi, pra niveli i parë më i ulëti i vështirësisë që do jetë në 40% të testit, po kështu niveli i dytë përmban 40% të testi, ndërkohë që niveli më i lartë do ketë vetëm 20% të totali të testi. Janë katër provime, 3 do jenë të detyrueshme dhe janë gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe gjuha e huaja, ndërkohë që vetëm një provim do të jetë me zgjedhje”.
Ndër të tjera, Kushi iu përgjigj edhe pyetjes që lidhet me vlerësimin e testeve të provimeve të MSH. Ajo shprehet se do të aplikohen dy metoda të vlerësimit të testeve. “Njëra metodë është metoda elektronike, me skanim, për pyetjet me alternativa – metodë që përdoret tashmë prej 2 vitesh dhe është një nga mënyrat më të sakta të korrigjimit të pyetjeve me alternativa kudo në botë.
Ndërsa për pyetjet që janë me zhvillim, do të vlerësohen nga mësuesit tanë vlerësues, të cilët janë të certifikuar, kanë përvojë në arsimin e mesëm të lartë dhe janë të kualifikuar me vlerësim maksimal”, tha ajo.



