
Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i së njëjtës gjini, kurorëzuan në një ceremoni simbolike të veshura me fustane nusërie, dashurinë e tyre në tarracën e bashkisë së Tiranës mbrëmjen e 19 majit.
Kurorëzimi i tyre u bë nga dy pastorë britanikë, si një lëvizje simbolike për të promovuar të drejtat e LGBT+.
Lidhur me këtë, një reagim ka ardhur dhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e cila shprehet se e panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore, por përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin.
Në lidhje me martesën e së njëjtës gjini, kryer në Bashkinë e Tiranës, ditën e djeshme, dt. 19 maj 2024, siç jemi shprehur edhe më parë, si në deklaratën e janarit 2024, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mban të njëjtin qëndrim:
Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë.
E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.
Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016) .



