Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka akuzuar si përgjegjëse për situatën e krijuar nga Covid-19 qeverinë dhe kreun e saj Edi Ramën.
Në një takim që ka zhvilluar ditën e sotme me pensionistën në njësinë Nr.4, Basha është shprehur se kësaj situate i duhet dhënë fund sa më parë, duke ftuar qytetarët të bëhen bashkë për të larguar të keqen dhe për të “shëruar” Shqipërinë.
“Buxheti i shtetit duhet të jetë i përqendruar për të ndihmuar njerëzit kundër kësaj të keqe. Dështimin me pandeminë e ka një autor dhe një njeri përgjegjës.
Faji për këto jetë që po vihen në rrezik dhe për shumë jetë që po humbin për shkak të pakujdesisë, mungesës së testimeve, mbingopjes së sistemeve shëndetësore është i Edi Ramës që edhe sot mbajeni mend do e shihni, unë dal e i kërkoj të ndihmojë njerëzit, ai do dalë që të sulmojë opozitën, mua, do bëjë shaka pa kripë, por po tallet me jetët e njerëzve dhe kjo po na kushton jetë, kjo po na kushton shëndet dhe shkatërrimin e ekonomisë”, u shpreh kreu i opozitës.
Lideri demokrat tha gjithashtu se qeveria i ka mundësitë që të rimbursojë paketën e plotë kundër përhapjes së koronavirusit. Po ashtu, ai siguroi se PD ka si synim që të përmirësojë jetën e qytetarëve.
“Kemi një kryeministër që nuk ka asnjë shqetësim për shëndetin e qytetarëve. Është detyrë e madhe të mbrojmë njëri-tjetrin, sepse qeveria nuk po bën asgjë për të na mbrojtur. Spitalet COVID janë mbushur plot, të sëmurët presin në ambulanca përpara spitaleve duke pritur të lirohen shtretër. Prej 5 javësh i kërkojmë t’u japë pensionistëve bonusin mujor 20 mijë lekë. Në vend që të punojë, rri në instagram dhe facebook duke bërë hokatarin. Edhe sa prej nesh duhet ta paguajmë me jetë papërgjegjshmërinë e këtij kryeministri. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve janë gjëja më e rëndësishme që kemi. As COVID-i, as sëmundjet e tjera nuk po trajtohen në spitalet tona. U bëj thirrje të mbroni shëndetin tuaj vetë, se sa për qeverinë jemi vetëm. Kemi një kryeministër që nuk ka asnjë shqetësim për shëndetin e qytetarëve. Shqipëria i ka mundësitë që t’u ofrojë disafish më shumë ndihmë".
Ndër të tjera, kreu i demokratëve ka ftuar të gjitha bashkitë dhe qytetarët të bëhen bashkë në 25 prill, pasi vetëm kështu mund të fillojë ndryshimi i madh.
“Duhet urgjent t’i japim fund kësaj! E kam ngritur dhe do ta ngre zërin ditë për ditë, në emrin tua, të pensionistëve, në emrin e të papunëve, në emrin e mjekëve, në emrin e infermierëve, në emrin e biznesit të vogël që po merr fund dita ditës, të mësuesve, se shkollat janë kthyer në vatra infeksioni siç e keni parë.
Por dua që të gjithë së bashkitë bëhemi bashkë, sepse kur jemi bashkë e largojmë të keqen, fillojmë ndryshimin dhe e shërojmë Shqipërinë”, tha kreu i demokratëve.



