
Në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë vijon procesi i vaksinimit. Në këtë sallë deri dje në mesditë ishin vaksinuar 250 persona, ndërsa në nivel vendi u kryen 650 vaksina.

Koordinatori i kësaj qendre të vaksinimit, Niman Bardhi tha se numri i përgjithshëm i të vaksinuarve ka arritur në mbi 100 mijë persona.
“Në sallën ‘1 Tetori’, ku deri më tani kemi të vaksinuar 287 ndërsa në nivel vendi kemi rreth një mijë e 680 persona. Nëse i referohemi totalit në nivel vendi nga dita e parë janë 101 mijë e 100 vaksinime të realizuara në Kosovë. Kjo është gjendja aktuale sa i përket vaksinimit në vendin tonë”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Sipas tij, të martën pritet të fillojë vaksinimi masiv në nivel vendi.
“Për procesin e vaksinimit në masë, nga 15 qershori fillojmë komplet në nivel vendi. Të gjitha masat paraprake janë ndërmarrë. Ekipet mjekësore tashmë janë të krijuara, po ashtu edhe sa i përket infrastrukturës për procesin e vaksinimit që do të bëhet edhe në qytetet e tjera jo vetëm këtu por në këtë kategori i kemi edhe qendrat e tjera në nivel vendi dhe shpresojmë që në këtë pjesë nuk do të jemi të sfiduar sa i përket zbatimit të procesit të vaksinimit”, tha ai.
Qytetarët e ftuar për vaksinim momentalisht janë duke marrë dy vaksinat kundër COVID-19, Pfizer dhe Astra Zeneca.
Kosova aktualisht po imunizon popullatën me vaksinat e siguruara si donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga vaksinat e dhuruara nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion dozave të vaksinës, të cilat do të arrijnë në vend deri në fundit të vitit.



