Qytetarët që përballen me një konflikt pronësie, një divorc, probleme në marrëdhëniet e punës, gjoba apo çështje të tjera ligjore, tashmë kanë një mënyrë më të thjeshtë për të gjetur ndihmë profesionale. Është lançuar DrejtësiaPërJu.al, një platformë që lidh qytetarët me avokatë dhe noterë, si në qytetin ku jetojnë, ashtu edhe online.
Platforma u jep mundësi përdoruesve të kërkojnë një konsultë fillestare falas dhe pa detyrim. Qytetarët mund të zgjedhin fushën juridike që lidhet me çështjen e tyre, të shohin profilet e profesionistëve të listuar dhe të plotësojnë një formular të shkurtër kontakti. Brenda 24 orëve, ata kontaktohen për të zhvilluar konsultën e parë.
Gjatë saj, qytetarët mund të shpjegojnë situatën e tyre, të marrin orientimin fillestar mbi mundësitë ligjore, të informohen për hapat që duhet të ndjekin, kostot e mundshme të procesit, si edhe të mësojnë nëse plotësojnë kushtet për të përfituar ndihmë juridike të garantuar nga shteti.
“DrejtësiaPërJu.al synon të sjellë në Shqipëri një frymë evropiane të marrjes së shërbimit në drejtësi, duke e bërë më të lehtë për çdo qytetar të gjejë avokatin ose noterin e duhur, sipas problematikës ligjore dhe qytetit ku ndodhet”, shprehet bashkëthemeluesja e platformës, Enxhi Hoxha.

Platforma ofron gjithashtu mundësinë e konsultimit online për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por kanë prona, dokumente, procese gjyqësore apo çështje të tjera ligjore në Shqipëri.
DrejtësiaPërJu.al është ndërtuar mbi përvojën e platformës holandeze Eersterechtshulp.nl, e themeluar në vitin 2012.
“Kur krijuam Eersterechtshulp.nl në Holandë, qëllimi ynë ishte t’i ndihmonim qytetarët të kuptonin më lehtë ku mund të drejtoheshin për ndihmë juridike. Mbi këtë përvojë vendosëm ta sjellim modelin edhe në Shqipëri, me bindjen se aksesi në drejtësi duhet të jetë më i qartë, më i afërt dhe më njerëzor për çdo qytetar”, thotë bashkëthemeluesi Ferre Dijkers.
Përveç shërbimit digjital, nisma ka edhe një mision social, duke synuar t’u vijë në ndihmë personave që nuk dinë ku të drejtohen për këshillim juridik ose hezitojnë ta kërkojnë atë për shkak të kostove.
Në fazën e ardhshme të zhvillimit, DrejtësiaPërJu.al planifikon të hapë edhe një zyrë fizike, ku qytetarët do të mund të marrin orientim juridik falas.



