Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel tha se Kosovës nuk po i hiqen vizat për shkak të kundërshtisë së presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
“Macron nuk ka qenë i qartë rreth asaj se pse nuk po e mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ne vetëm e dimë se ai nuk dëshiron të mundësojë regjim të lëvizjes pa viza për kosovarët”, tha Von Cramon.
Ndërsa ajo theksoi se Parlamenti Evropian është në favor të liberalizimit, tregoi se partia e Macron-it ka tendenca për të fshirë një rezolutë lidhur me çështjen e liberalizimit.
“Javën e kaluar, në seancë plenare të Parlamentit Evropian, partia e Macron-it dëshiroi të fshinte një referencë nga rezoluta jonë, e cila i bënte thirrje Këshillit të merrte një vendim sa më shpejt të jetë e mundur. Fatmirësisht, përpjekja e tyre dështoi, shumica e madhe e eurodeputetëve votuan në një mënyrë që tregon se Parlamenti Evropian është në favor të procesit të liberalizimit të vizave. 454 persona kanë votuar pro tekstit origjinal, 160 kundër, prej tyre shumica ishin eurodeputetë spanjollë (liberalë, nga EPP-ja, dhe ekstremistë djathtistë) dhe liberalë francezë nga partia e Macron-it, ndërsa pjesa tjetër eurodeputetë kryesisht nga ekstremi i djathtë. Duket mjaft qartë se kush janë ata që po e bllokojnë këtë vendim. Ata duhet ta kuptojnë se sa shumë dëm i shkaktohet reputacionit të BE-së kur ne nuk i mbajmë premtimet tona”, shtoi Von Cramon.
Raportuesja për Kosovën shkroi disa ditë më parë se Kosova duhet ta pyesë presidentin e Francës, Emmanuel Macron-in, se përse ai ngurron që kosovarëve t’u liberalizohen vizat.



