ALARM! Kujdes nga provokimet. Një faqe e rreme në Facebook, “Shqipëria nuk shitet”, po shpërndan thirrje për dhunë në prag të protestës së nesërme, duke u bërë apel qytetarëve të marrin gurë dhe mjete të forta në shesh.
Në prag të protestës kombëtare, në rrjetet sociale po qarkullon një material që ngre shqetësime serioze.
Faqja “Shqipëria nuk shitet” ka publikuar një video ku u kërkon pjesëmarrësve të protestës të pajisen me gurë dhe sende të forta, ndërsa nxit përplasje me institucionet dhe forcat e rendit, duke e justifikuar këtë me pretendimin e “vetëmbrojtjes”.
Një mesazh i tillë përbën një provokim të hapur, që rrezikon ta largojë protestën nga qëllimi i saj qytetar dhe ta shndërrojë atë në një skenar konfliktesh. Për këtë arsye, qytetarët duhet të refuzojnë çdo nxitje për dhunë dhe të mbështesin vetëm zhvillimin e një proteste paqësore.
Dyshimet se kemi të bëjmë me një operacion të organizuar dezinformimi nuk janë të reja. Pak ditë më parë, eksperti i IT-së, Besmir Semanaj, e denoncoi publikisht këtë profil, duke e lidhur atë me një fushatë të ashtuquajtur lufte hibride.
Edhe të dhënat publike ngrenë pikëpyetje. Megjithëse faqja paraqitet si një “blog personal” me rreth 22 ndjekës, informacionet e disponueshme në Facebook Ad Library tregojnë se ajo ka sponsorizuar postime në gjuhën shqipe me përmbajtje të qartë politike kundër protestave.
Situata bëhet edhe më shqetësuese pas publikimit të thirrjeve të drejtpërdrejta për përplasje fizike, çka e bën të domosdoshëm reagimin e qytetarëve dhe institucioneve.
Thirrje për qytetarët dhe autoritetet:
Mos u bëni pjesë e provokimeve që synojnë ta deformojnë protestën.
Merrni pjesë në protestë në mënyrë paqësore, me përgjegjësi dhe dinjitet.
Bëni REPORT masiv faqen "Shqipëria nuk shitet" në Facebook.
https://www.facebook.com/profile.php?id=61590222227749
Policia Kibernetike duhet të verifikojë me urgjencë këtë rast dhe të hetojë çdo element të mundshëm të nxitjes së dhunës dhe dezinformimit.



