
Në kuadër të marrëveshjeve të arritura pas mbledhjes së përbashkët mes të dy qeverive, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti firmosën marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit të Prishtinës.
Drejtimet kryesore të bashkëpunimit të përcaktuara në marrëveshje do të jenë në të gjitha fushat e dijes, me përparësi shkencat me më shumë interes të përbashkët, si gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia, antropologjia, shkencat sociale, shkencat juridike/ekonomike, fushat artistike, trashëgimia kulturore, shkencat natyrore, shkencat inxhinierike, shkencat mjekësore.
Do të bashkëpunohet gjithashtu në disiplinat që lidhen me çështje me rëndësi jetësore dhe të ngutshme, si bioteknologji, nanoteknologji, qëndrueshmëri mjedisore dhe energjetike, menaxhim i fatkeqësive, pandemive dhe krizave sociale, inteligjencë artificiale etj, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj.
Dy institucionet do të bashkëpunojnë për kryerjen e studimeve të përbashkëta për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe europiane, për nxitjen dhe promovimin e studiuesve të rinj dhe për hartimin e strategjive të zhvillimit dhe të akteve normative në zbatim të tyre.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje përfaqësues të trupës të UP-së, bazuar në kërkesat nga Akademia e Shkencave, do të përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme shkencore që funksionojnë pranë saj, në njësitë e reja të kërkimit shkencor ngritur pranë saj, etj.
Bashkëpunimi do të jetë gjithashtu në organizimin dhe zhvillimin e konkurseve shkencore për çmimet kombëtare vjetore të shpallura prej saj, në të gjitha fazat e tyre, për hartimin e programeve të veçanta të studimeve universitare për shkallët “master” e “doktoratë”, si dhe për implementimin e aktiviteteve shkencore brenda tyre.
ASHSH do të mundësojë zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve të Universitetit të Prishtinës pranë saj dhe njësive kërkimore të saj, shkëmbimin e botimeve dhe të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve dhe monografive, etj.



